Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha sot se ai kishte "bërë gjithçka" për vendin e tij përpara se të binte dakord për një paketë të re ndihme evropiane prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, duke shtuar se ai kishte shmangur rrezikun që Budapesti të humbiste fondet e BE-së.
27 liderët e BE-së ranë dakord njëzëri të enjten për të ofruar 50 miliardë euro shtesë ndihmë gjatë katër viteve të ardhshme për Ukrainën.
Marrëveshja u njoftua shumë shpejt, pavarësisht faktit se për javë të tëra Hungaria, e cila ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë që nga shpërthimi i luftës me Rusinë, kishte shprehur kundërshtimin për sigurimin e burimeve shtesë për Kievin, një çështje për të cilën vendosi veton në dhjetor.
Në intervistën e tij të rregullt në radion shtetërore, Orbán, i cilësuar si “Djali i keq” i Bashkimit Europian tha se marrëveshja e djeshme ishte e mirë.
“Bëra gjithçka”, theksoi ai. “Nëse kjo marrëveshje nuk do të ishte arritur dhe Hungaria do të përdorte ende të drejtën e vetos, atëherë 26 vendet anëtare do të kishin rënë dakord që t'i dërgonin paratë në Ukrainë dhe ata do të kishin marrë financimet e destinuara për Hungarinë dhe do t'i dërgonin edhe ato në Ukrainë. Pse do të ishte mirë ashtu?”, pyeti ai.
“Ne nuk dërgojmë armë, ne do të marrim paratë tona nga Brukseli dhe do të kontribuojmë në financimin politik të Ukrainës”, shpjegoi më tej kryeministri hungarez.
Pasi liroi disa nga fondet e BE-së të destinuara për Hungarinë në dhjetor, Komisioni Evropian ende po mban “peng” rreth 20 miliardë euro të Budapestit për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit në Hungari. (A2 Televizion)