Izraeli mësyn liderin e ri të Hezbollah, shpërthime të fuqishme pranë aeroportit në Bejrut

Nga A2 CNN
4 Tetor 2024, 10:23 | Bota

Izraeli vendos në shënjestër liderin e ri të Hezbollahut në Liban. Ushtria e shtetit hebre ka shtuar sulmet ajrore në vendin fqinj, me një shpërthim masiv të raportuar në jug të Bejrutit.

Një raketë raportohet të ketë rënë jo shumë larg aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit të Libanit, pranë Dahieh, që konsiderohet një bastion i Hezbollahut.

Pavarësisht sulmit, aeroporti po operon normalisht. Zyrtarët izraelitë konfirmuan për mediat amerikane se shënjestër e këtyre bombardimeve ishte Hashem Safieddine, njeriu që mendohet se ka marrë drejtimin e grupimit që mbështetet nga Irani. Gjendja e tij shëndetësore nuk dihet.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njofton se 37 persona janë vrarë nga inkursioni tokësor dhe sulmet ajrore të Izraelit në 24 orët e fundit, duke e çuar bilancin total të viktimave më shumë se 2 mijë, që prej tetorit të kaluar.

Një sulm ajror izraelit ndaloi trafikun pranë pikës kryesore kufitare Liban-Siri, tha një zyrtar në Bejrut. Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga kjo pikë kufitare, ndërsa 1 milion njerëz të zhvendosur po kërkojnë një strehë të sigurtë nga bombardimet.

Ushtria izraelite tha se dhjetëra predha u lëshuan nga Hezbollahu drejt qytetit verior të Haifës dhe rajonit të Galilesë. Shumica prej tyre janë shpërthyer në ajër nga mbrojtja e shtetit hebre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos