“Izraeli nuk ka paqe deri në shkatërrimin e Hamasit”, Blinken nuk bind dot Netanjahun

Nga Erjon Dervishi
7 Shkurt 2024, 21:46 | Bota

Izraeli shuan shpresat për paqe më Hamasin. Kryeministri Benjamin Netanyahu në një dalje publike menjëherë pas takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ka refuzuar kushtet e Hamasit për armëpushim dhe u zotua të luftojë deri në 'fitore totale'. Sipas tij, Izraeli ishte gati të arrinte fitoren "në disa muaj".

Netanyahu kërkoi shkatërrimin e plotë të Hamasit dhe përjashtoi çdo marrëveshje që e lë grupin militant palestinez nën kontrollin e plotë ose të pjesshëm të Gazës.

“Nuk ka zgjidhje tjetër përveçse një fitoreje të plotë dhe përfundimtare. Nëse Hamasi do të mbijetojë në Gaza, është vetëm çështje kohe deri në masakrën e ardhshme”, u shpreh Netanyahu.

Hamasi paraqiti një sërë kërkesash në kundërpërgjigje të propozimit të mbështetur nga Izraeli. Sipas tij negociatat nuk po shkojnë askund dhe i cilësoi kushtet si të çuditshme.

Propozimi i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA dhe i ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti parashikon lirimin gradual të pengjeve të mbajtura në Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael – duke përfshirë ata që vuajnë dënimin e përjetshëm – si dhe fillimi i një përpjekjeje masive humanitare dhe rindërtimit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha më herët se SHBA po shqyrton përgjigjen e Hamasit dhe se ai do ta diskutonte atë me zyrtarë të qeverisë izraelite.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos