Izraeli sulmon Sirinë, 42 viktima, frikë për zgjerimin e luftës

Nga A2 CNN
29 Mars 2024, 16:54 | Bota

Në Lindjen e Mesme ka frikë reale për zgjerimin e luftës. Kjo vjen pasi ushtria e Izraelit zhvilloi një seri bombardimesh në Alepo të Sirisë. Tel Avivi pranon se nga këto sulme në drejtim të një grupimi militantësh janë vrarë civilë dhe ushtarakë.

Por Observatori sirian për të drejtat e njeriut tregon bilancin real: të paktën 42 persona kanë humbur jetën nga bombardimi në Alepo, por vetëm 5 prej tyre janë anëtarë të grupimit të armatosur të Libanit, Hezbollah.

Izraeli lëshoi raketa edhe drejt një tjetër shtet fqinj. Ushtria e Tel Avivit njoftuan se nga sulmi në Liban është vrarë kreu i njësisë së lëshimit të raketave të Hezbollahut.

E teksa situata mbetet e brishtë dhe serioze, Amerika po punon për një paqe të përhershme. Presidenti Joe Biden konfirmon se bota arabe është gati për të njohur plotësisht Izraelin, nëse krijohet shteti i Palestinës.

“Nuk do të hyj në detaje, por kam punuar me sauditët dhe të gjitha vendet e tjera arabe, përfshirë Egjiptin, Jordaninë dhe Katarin. Janë gati për të njohur plotësisht Izraelin për herë të parë. Por duhet të kemi një plan pas luftës në Gaza dhe duhet të kemi një zgjidhje me dy shtete. Nuk do ndodhë sot, por mendoj se mund t’ia dalim”, tha Biden.

Më herët mediat ndërkombëtare raportuan përpjekjet e qeverisë amerikane për të financuar një ushtri shumëkombëshe të drejtuar nga palestinezët për të garantuar sigurinë në Gaza pas fundit të pushtimit izraelit.

Sakaq, kryeministri Benjamin Netanjahu bën me dije se gjatë ditëve në vijim do të dërgojë një delegacion në Kajro dhe Doha për të negociuar edhe njëherë për shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë dhe për ndonjë armëpushim të mundshëm në Gaza.

E teksa armë nuk janë ulur, bilanci i viktimave bëhet edhe më tragjik. Mbi 32 mijë e 600 palestinezë raportohen se janë vrarë në enklavë që nga nisja e luftës, me shumicën prej tyre gra dhe fëmijë.

Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë urdhëron Izraelin që të lejojë ndihmat humanitare të futen në Gaza për të shmangur urinë që po merr jetë njerëzish. Në kundërpërgjigje, shteti hebre premton që të shtojë ndihmat për enklavën dhe të lehtësojë rrugët për kamionët me ndihma.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli