Izraeli paralajmëron: Do të mbajmë kontrollin e sigurisë në Gaza për vite me radhë

Nga A2 CNN
31 Janar 2024, 08:46 | Bota

Izraeli paralajmëron: Do të mbajmë kontrollin e sigurisë

Teksa thirrjet për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme vazhdojnë, ministri i Jashtëm i Izraelit ripërsëriti të martën qëndrimin se qeveria e tij synon të mbajë përgjegjësinë për sigurinë në Rripin e Gazës "për vite me radhë”.

Sipas Israel Katz, ky rend i vendosur pas sulmit të 7 tetorit do të mbetet në fuqi "derisa të jemi të sigurt se nuk do të vritemi më nga Gazanët".

Kreu i diplomacisë izraelite gjatë një interviste për mediat gjermane i ka quajtur edhe një herë anëtarët e lëvizjes islamike palestineze Hamas si “nazistët e rinj”, të cilët sipas tij “duhet të eliminohen”.

Ai e quajti absolutisht absurde që pas gjithçkaje që ndodhi më 7 tetor, kur militantët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit "ka nga ata që po i thonë Izraelit se gjëja e duhur për të bërë është zgjidhja me dy shtete”.

Për më tepër, Katz këmbënguli se palestinezët vranë izraelitët dhe për këtë arsye qeveria e tij nuk ka ndërmend t'ua dorëzojë përgjegjësinë për sigurinë palestinezëve në të ardhmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos