Koreja e Veriut i dërgon raketat, Putin heq ndalimin për lëshimin e armëve bërthamore

Nga Xhevahir Qardaku
2 Nëntor 2023, 16:16 | Bota

Rusia po mban gjithnjë e më shumë sytë nga armët e saj bërthamore. Shefi i Kremlinit bëri një lëvizje që e heq vendin e tij nga obligimet e kaluara. Presidenti Vladimir Putin, nënshkroi legjislacionin që revokon ratifikimin nga Rusia të Traktatit të Ndalimit të Testeve Bërthamore. Traktati i vitit 1996 ndalon të gjitha shpërthimet bërthamore, duke përfshirë testet e drejtpërdrejta të armëve bërthamore, por ai kurrë nuk hyri në fuqi sepse disa vende kyçe - përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën - nuk e ratifikuan atë.

Në të njëjtën kohë, Rusia kërcënoi Finlandën me reagim tekniko-ushtarak dhe masa të tjerë nëse vendi nordik firmos një marrëveshje për bashkëpunimin në mbrojtje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, qeveria e Seulit raporton se Koreja e Veriut mund të ketë furnizuar Moskën me raketa balistike me rreze të shkurtër dhe raketa të lehta kundërajrore, si dhe predha artilerie, për të mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Ky është vlerësimi i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut, të raportuar në Yonhap nga një zyrtar i lartë ushtarak. Në detaje, ekspertët e Seulit vlerësuan se një total prej rreth 2 mijë kontejnerë me pajisje dhe municione të ndryshme u dërguan nga porti i Rajin në Vladivostok.

A2 CNN Livestream

Dita jonë