Lufta e brendshme në Kremlin, Putin shkund politikën, mban ‘kuajt e vjetër’ dhe sjell të rinjtë

Nga A2 CNN
12 Mars 2024, 22:58 | Bota



Elita ruse shpreson që presidenti Vladimir Putin të riorganizojë pozicionet qeveritare për të sjellë njerëz më të rinj në poste të larta. Burime për Reuters theksojnë se këto ndryshime do të vijnë pas zgjedhjeve në Rusi.  Putin, në pushtet që nga dita e fundit e vitit 1999, pritet të fitojë mandatin e pestë presidencial.

Sipas Reuters elita ruse pret që të rinjtë të vendosen në poste më të larta qeveritare, duke përfshirë ato të zëvendësministrave dhe drejtues të departamenteve ministrore. Një nga burimet tha se portofolet ministrore po rishikohen dhe se riorganizimi pritej të ndodhte në maj.

Ndryshimet në korporatat e mëdha shtetërorë të energjisë dhe në më shumë se 80 qeveritë rajonale të Rusisë shihen gjithashtu si të mundshme. Në një kohë kur Rusia po bën luftë me Ukrainën dhe ka nevojë për vazhdimësi, dy nga burimet thanë se nuk prisnin që Putin të ndryshonte ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm.

"Ju nuk i ndryshoni kuajt në mes të rrjedhës", tha burimi për Reuters, i cili shtoi se do të ishte befasuese nëse ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, 68 vjeç dhe ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, i cili mbush 74 vjeç në fund të këtij muaji, nuk do të mbanin postet e tyre.

Ndryshimet e planifikuara në krye të ministrive kryesore dhe në agjencitë e sigurisë do të ndodhin vetëm pas përfundimit të asaj që Putin e quan operacionin e tij special ushtarak në Ukrainë, tha burimi i parë.

Burimi i dytë priste gjithashtu një riorganizim paszgjedhor që do të sillte më shumë të rinj në lojë. Putin nuk ka bërë ndryshime të mëdha në qeveri që nga viti 2020. Ndryshimet e bëra në kushtetutë në të njëjtin vit i lejuan Putinit, 71 vjeç, të qëndronte në pushtet deri në vitin 2036 nëse rizgjidhej të dielën dhe përsëri në 2030. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos