Luftë e re në prag? Transnistria i kërkon Putinit ndihmën ruse kundër Moldavisë

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2024, 15:02 | Bota

Rebelët pro-rusë në rajonin separatist të Transnistrias në Moldavi i kanë kërkuar këtë të mërkurë Rusisë "mbrojtje", mes frikës se territori i tyre mund të shëndërrohet në një pikë të re të nxehtë, ndikuar nga lufta e Moskës me Ukrainën fqinje.

Rripi i hollë i tokës që ndodhet në kufirin moldavo-ukrainas është de facto i kontrolluar nga forcat pro-ruse që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, por njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Moldavisë.

Në një kongres të posaçëm në rajon, i shtati në historinë e tij, ligjvënësit miratuan një rezolutë që i kërkon parlamentit rus të mbrojë Transnistrian përballë vetë Moldavisë.

Ata pretendojnë se qeveria moldave në Kishinau nisi një "luftë ekonomike" kundër Transnistrias, duke bllokuar importet jetike me qëllimin për ta kthyer atë në një "geto".

"Vendimet e kongresit aktual nuk mund të shpërfillen nga komuniteti ndërkombëtar”, tha në takim shefi i politikës së jashtme të republikës separatiste Vitaly Ignatiev.

Rezoluta e Transnistrias vjen vetëm një ditë përpara se presidenti Vladimir Putin të mbajë fjalimin vjetor në parlamentin rus.

Po kështu, thirrja për ndihmë nga Moska ka nxitur krahasimet me shkurtin e vitit 2022, kur militantët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore kërkuan mbrojtje kundër atyre që i cilësuan sulme dhe granatime të pamëshirshme nga forcat ukrainase.

Delegatët në konferencë e përmendën pak Ukrainën, sipas rrëfimeve të sesionit në mediat shtetërore, duke e mbajtur fokusin te zemërimi i tyre ndaj Moldavisë. Por, një zëdhënës i qeverisë moldave minimizoi shqetësimet përpara takimit.

"Nga Kishinau, gjërat duken të qeta... Nuk ka rrezik përshkallëzimi dhe destabilizimi të situatës në rajonin e Transnistrias. Kjo është një tjetër fushatë për të krijuar histeri", tha zëdhënësi në një postim në Telegram.

Por, fakt është se që kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, Moldavia është shqetësuar se Kremlini mund të përdorë Transnistrian për të hapur një front të ri në jugperëndim, pranë rajonit jugor të Ukrainës, Odesa.

Transnistria u trondit nga shpërthime të pashpjegueshme në vitin 2022, me analistët ushtarakë që spekulojnë se mund të ketë qenë një përpjekje e elementëve pro-rusë për të futur rajonin në konflikt.

Ndërkohë në mars, udhëheqja pro-ruse e Transnistrias akuzoi Kievin për një atentat ndaj liderit të tyre, një akuzë që Ukraina e hodhi poshtë. Dhe javën e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se Ukraina planifikoi një inkursion të armatosur në territorin e shkëputur, por pa dhënë asnjë provë konkrete.

Kremlini ka rreth 1500 ushtarë të stacionuar në mënyrë të përhershme në këtë rrip toke, në të ashtëquajturin prej tyre si një mision "paqeruajtës". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos