“Moska kërkon viktimën e radhës”, raporti nga Konferenca e Mynihut: Zgjerimi i BE një domosdoshmëri

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2024, 23:12 | Bota

Bashkimi Europian e sheh zgjerimin si një domosdoshmëri gjeopolitike, edhe nëse uniteti midis shteteve të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj nuk mund të merret si i mirëqenë.

Ky është një nga konkluzionet e raportit të konferencës vjetore të Sigurisë së Mynihut 2024, i publikuar përpara 60-të vjetorit të saj e që zhvillohet nga 16 deri më 18 shkurt.

Sipas raportit, pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia i detyroi evropianët të pranonin rëndësinë e zgjerimit si një "investim gjeostrategjik". Raporti thekson se BE-ja i dha Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit dhe hapi negociatat e pranimit me ta në një kohë rekord. Megjithatë, pavarësisht angazhimeve verbale për të larguar Evropën Lindore nga zona gri, është e paqartë se sa shpejt do të ndodhë kjo dhe nëse partnerët transatlantikë janë të gatshëm të paguajnë çmimin, vlerëson raporti.

Raporti gjithashtu analizon shkurt situatën në Ballkanin Perëndimor.

“Progresi i vogël në rrugën drejt anëtarësimit në BE ka mbajtur derën e hapur për ndikimin keqdashës rus në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Serbi dhe në Bosnje- Hercegovinë. Serbia jo vetëm që varet nga Rusia për furnizimin e saj me energji, por Rusia mund të përdorë lidhjet e saj historike me popullsinë serbe, lidhjet me grupet paraushtarake dhe të krimit të organizuar dhe depërtimin në mjedisin e informacionit. Këta faktorë ndihmojnë për të shpjeguar pse mbështetja popullore për anëtarësimin në BE në Serbi është më e ulëta në rajon”.

Raporti thekson se BE-ja dhe vendet e NATO-s duhet të dyfishojnë ndihmën financiare dhe ushtarake për Ukrainën, pasi një fitore e Rusisë do të ishte katastrofike dhe Moska do të kërkonte viktimën e radhës.

A2 CNN Livestream

Dita jonë