NATO i tregon “dhëmbët” Rusisë, nis stërvitja më e madhe ushtarake

Nga A2 CNN
25 Janar 2024, 07:19 | Bota

NATO i tregon “dhëmbët” Rusisë, nis stërvitja

Aleanca e Atlantikut Verior, NATO, nisi të mërkurën, një prej stërvitjeve më të madhe ushtarake që nga periudha e Luftës së Ftohtë, në një lëvizje që shumë ekspertë të fushës e shohin si një demonstrim force përballë Rusisë.

Sipas të dhënave nga NATO, rreth 90 mijë forca do të marrin pjesë në stërvitjen disamujore të quajtur “Steadfast Defender 2024”. Manovrat kanë si synimin kryesor të provojnë mbrojtjen e vendeve të aleancës, ndërkohë që vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.

“Aleanca do të demonstrojë aftësinë e saj për të përforcuar arenën euro-atlantike nëpërmjet lëvizjes transatlantike të forcave nga Amerika e Veriut”, tha Gjeneral Christopher Cavoli.

“Steadfast Defender 2024 do të jetë një demonstrim i qartë i unitetit tonë, fuqisë dhe vendosmërisë për të mbrojtur njëri-tjetrin, vlerat tona dhe rendin ndërkombëtar të bazuar te rregullat”, shtoi ai.

Stërvitja është projektuar si një simulim i përgjigjes së aleancës prej 31 vendesh anëtare ndaj një sulmi nga një vend rival si Rusia. Në të do të marrin pjesë 50 luftanije, 80 avionë dhe mbi 1100 mjete luftarake tokësore.

Sipas Zërit të Amerikës, kjo është stërvitja më e madhe që nga viti 1988 kur u mbajt stërvitja “Reforger”, gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo vjen në një moment kur NATO ka transformuar mbrojtjen e saj, që kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës në vitin 2022.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos