Izraeli kundër shtetit palestinez! Ministri flet sërish për lëshimin e bombës atomike në Gaza

Nga Xhevahir Qardaku
24 Janar 2024, 11:03 | Bota

Pezullimi nga detyra nuk i bëri punë. Ministri izraeli, Amichai Eliyahu, ka përsëritur deklaratën se nuk përjashtohet opsioni për lëshimin e një arme bërthamore në Rripin e Gazës. Komentet e shefit për çështjet dhe trashëgiminë e Jerusalemit erdhën gjatë një vizite në qytetin Hebron në Bregun Perëndimor.

Leiyahu shton se Gjykata Penale Ndërkombëtare e Hagës, që po shqyrton akuzën për gjenocid kundër Izraelit, i ka të njohura qëndrimet e tij. Deklaratën për mundësinë e lëshimit të një bombe bërthamore në Gaza e bëri së pari nëntorin e kaluar, e cila i solli pezullimin nga detyra për një muaj me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Kjo ngjalli reagimin e disa shteteve, përfshirë Turqisë, që kërkuan shpjegime nga Tel Avivi, pasi zyrtarisht Izraeli thotë se nuk posedon armë bërthamore. Ministri i Jashtëm, Izrael Katz, thotë se vendi i tij nuk po lufton vetëm kundër Hamasit, por edhe asaj që e quan “aks iranian i së keqes”. Sakaq, paqja nuk po duket askund në horizont. Hamasi është i hapur për lirimin e disa pengjeve në këmbim të një pauze të konsiderueshme në luftime.

Këtë e raporton Wall Street Journal, duke cituar burime egjiptiane, sipas të cilave grupi militant palestinez, u ka komunikuar ndërmjetësve gatishmërinë për negociata. Por Izraeli frenon dhe njofton se nuk ka asnjë zhvillim pozitiv në tratativat me Hamasin.

Qeveria e Tel Avivit vijon që të kryejë sulme në Gaza dhe njofton se ka vrarë 100 luftëtarë të Hamasit, në 24 orët e fundit. Kjo është një hakmarrje për 24 ushtarët izraelit që u vranë gjatë të martës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos