Nga gatimi te mësimi i poezisë dhe gjuhës, dita e një nëne palestineze në çadër

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2024, 09:27 | Bota

Jeta për Inas Al - Baz, mësuese e Gazës, është kthyer tashmë në një kërkim të përditshëm për ushqim dhe ujë për familjen e saj/ Por ajo e thyen monotoninë sa më shpesh që të mundet, qoftë me një përbërës të freskët për tenxheren e saj të gatimit apo kohën e studimit me fëmijët e saj në çadrën e tyre.

Familja Al-Baz, nga kampi i refugjatëve Al-Shati, është në mesin e rreth 1.5 milionë palestinezëve të grumbulluar në zonën Rafah në Gazën jugore pasi sulmi ushtarak i Izraelit i zhvendosi ata nga shtëpitë e tyre.

Al-Baz tha se fëmijët e saj ishin të ngopur me ushqime të konservuara, një nga të vetmet gjëra që ajo mund të gjente për t'i ushqyer, por ishte e lumtur që falë reshjeve të fundit një lloj bime ushqimore e quajtur "mallow" (mallou) ishte rritur aty pranë dhe ajo kishte mundësi të gatuajë vaktin e ardhshëm.

Punët e përditshme si përgatitja e bukës, fshirja e rërës nga streha dhe larja e rrobave me dorë në kova të vogla kërkonin kohë, por Al-Baz ishte e vendosur të vazhdonte arsimimin e fëmijëve të saj.

"Unë nuk e humb kohën në tendë. U mësoj Kuranin, u mësoj poezi dhe falë Zotit fëmijët e mi janë si të gjithë fëmijët palestinezë, dhe ne, të gjitha nënat palestineze, duam që fëmijët tanë të jenë njerëzit më të mirë, ne duam fëmijët të marrin të gjitha të drejtat e tyre, por ne u privuam nga këto të drejta. dhe fëmijët tanë po vuajnë, të privuar nga ato të drejta. Fëmijët tanë po vuajnë, janë të privuar nga të drejtat e tyre. Por ne, si gra palestineze, jemi të duruar dhe punojmë shumë për t'i shtyrë fëmijët tanë që të jenë fëmijët më të mirë", thotë ajo.

E gjunjëzuar brenda çadrës, vajza e saj Anood recitoi një poezi në arabisht me një intonacion të gjallë. Al-Baz u ul me djalin e saj Sualem, duke i mësuar atij anglishten bazë.

Izraeli filloi fushatën e tij në Gaza pasi militantët e Hamasit që kontrollojnë territorin sulmuan qytetet izraelite më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke kapur 253 pengje. Që atëherë, rreth 30,000 njerëz janë konfirmuar të vrarë në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore, me mijëra të tjerë të vdekur dhe të pagjetur nën ndërtesa të kthyera në djerrina.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli