Ushtria nigeriane vrau gabimisht 85 civilë që po festonin një festë myslimane të dielën e kaluar, në qytetin Tudun Biri, në shtetin Kaduna. 66 të tjerë mbetën të plagosur dhe Presidenti i Nigerisë, Bola Tinubu, sqaroi se kishte ndodhur një bombardim aksidental dhe njoftoi hapjen e një hetimi për ngjarjen, përveçse shprehu “zemërimin dhe trishtimin për humbjen tragjike të jetëve”.
“Ky ishte një incident shumë fatkeq, shqetësues dhe i dhimbshëm”, tha Tinubu.
Bombardimi, sipas burimeve ushtarake, ka ndodhur për shkak se ushtria po kryente një operacion rutinë kundër grupeve të armatosura kriminale që vepronin në këtë zonë. Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Emergjencave (NEMA) raportoi se “zyra e zonës veriperëndimore ka marrë informacion nga autoritetet lokale se 85 trupa janë varrosur deri më tani, ndërsa kërkimet vazhdojnë”.
Në fillim, ushtria mohoi përfshirjen e saj në masakër dhe nuk sqaroi numrin e viktimave, megjithëse më vonë pranoi se qëndronte pas sulmit: “Ushtria nigeriane po kryente një operacion rutinë ushtarak kundër terroristëve (...), por fatkeqësisht qyteti i Tudun Biri u sulmua. Operacionet e shpëtimit vazhdojnë. Dhjetra njerëz janë dërguar në spital nga autoritetet”, tha ministri i Brendshëm i shtetit Kaduna, Samuel Aruwan.
“Amnesty International” bëri thirrje për hetim të këtij incidenti, që nuk është i pari në vendin afrikan: “Autoritetet nigeriane duhet t'i hetojnë këto sulme ajrore dhe, kur këto hetime tregojnë përgjegjësi penale, të ndjekin penalisht ata që janë përgjegjës dhe t'i sjellin ata para drejtësisë për një gjykim të drejtë”. (A2 Televizion)