Mexico City, me gati 22 milionë banorë, një nga qytetet më të mëdha në botë, rrezikon të mbetet pa ujë të pijshëm brenda pak muajsh.
CNN shkruan se arsyet janë disa, nga pozita gjeografike, zhvillimi kaotik urban, infrastruktura, deri te ndryshimet klimatike. Vitet e fundit kanë pasur reshje të pakta shiu dhe temperaturat janë rritur ndjeshëm, duke shtuar stresin te qytetarët e kryeqytetit meksikan, por edhe tek autoritetet që tashmë kanë vendosur kufizime të mëdha në furnizimin me ujë.
“Situata është rënduar shumë. Disa lagje kanë vuajtur nga mungesa e ujit për javë të tëra, ndërsa na duhet të presim të paktën edhe 4 muaj deri në nisjen e sezonit të shirave”, tha Christian Domínguez Sarmiento, një ekspert në universitetin e Meksikës.
Politikanët po mundohen ta fshehin sa më shumë këtë problem madhor, shkruan CNN, por ekspertët thonë se situata ka arritur në nivele kritike, saqë brenda pak muajsh çezmat mund të thahen në Mexico City.
Kryeqyteti i Meksikës shtrihet në shtratin e një liqeni rreth 2200 metra mbi nivelin e detit. Ai u ndërtua në një tokë të pasur me argjilë, në të cilën po zhytet, goditet shpesh nga tërmet dhe është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Ndoshta, është një nga hapësirat gjeografike të fundit që dikush do të zgjidhte të ndërtonte një mega qytet në ditët e sotme. (A2 Televizion)