Në dy vjetorin e të ashtuquajturit “operacion special” në Ukrainë, Rusia nuk harroi ta shënonte sërish këtë ditë duke organizuar sulme në disa qytete të vendit fqinjë.
Sirenat “shpërthyen” gjatë natës në jug, lindje dhe qendër të Ukrainës, të cilat u pasuan me një seri dronësh që goditën edhe struktura civilësh.
Në një reagim për shtyp të ushtrisë vendase mësohet se objektivi kryesor i Rusisë në këto sulme ishte shkatërrimi i mbrojtjes antiajrore përmes raketave Kh-31P, gjë që sipas tyre nuk u arrit.
Ndërkohë, as Ukraina nuk qëndroi në heshtje. Dronë të armatosur mirë u rrëzuan gjatë natës nga mbrojtja ruse pranë qytetit kufitar të Belgorodit dhe në Detin e Zi.
Ministria ruse e Mbrojtjes i cilësoi këto sulme të ushtrisë ukrainase si terroriste dhe që kishin si qëllim të shkaktonin panik te popullsia civile.
Nga ana tjetër, presidenti Zelensky nuk harroi ofensivën në rrafshin diplomatik. Në takimin e G7, lideri ukrainas pasi falënderoi Perëndimin për mbështetjen u shpreh se liderët e këtyre vendeve e kanë të qartë se për çfarë ka nevojë Ukraina në këto momente.
"Ju e dini shumë mirë se çfarë kemi nevojë për të mbrojtur qiejt tanë dhe për të forcuar trupat tona në terren, si dhe të gjithë mbështetjen që na nevojitet për të vazhduar të jemi të suksesshëm në det, dhe e kuptoni se ne kemi nevojë për të tani. Ne kemi besim te ju", u shpreh ai.
(A2 Televizion)