Një pajisje në madhësinë e kutisë së picave, çelësi që Ukraina t’i mbajë dritat ndezur këtë dimër

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2023, 13:58 | Bota

Teksa një tjetër dimër i ftohtë po afrohet, shqetësimi i ukrainasve është si t’i mbajnë dritat ndezur.

Për këtë arsye, operatori i rrjetit të energjisë në Ukrainë ka importuar në mënyrë të fshehtë pajisje të personalizuara të dizajnuara për t'u bërë ballë sulmeve të luftës elektronike ruse me ndihmën e zyrtarëve amerikanë.

CNN raporton se inxhinierët në gjigantin amerikan të teknologjisë Cisco kaluan javë duke ndërtuar dhe testuar pajisjet e reja në një laborator në Austin, Teksas dhe dorëzuan një prototip në Ukrainë në pranverë me ndihmën e një avioni të Forcave Ajrore të SHBA-së që transportonte ndihma humanitare, sipas Cisco.

Pasi operatori shtetëror i rrjetit të Ukrainës, Ukrenergo, konfirmoi në heshtje se pajisjet e reja funksiononin pavarësisht sulmeve ruse në sistemet e saj GPS, Cisco dërgoi dhjetëra komplete harduerike me madhësi sa një kuti picash që kanë një vlerë rreth 1 milion dollarë në Ukrainë. 

Ato u instaluan në të gjithë vendin. Pajisjet e reja, për të cilat nuk dihej gjë më parë, mund të jenë shpëtimi për rrjetin elektrik të Ukrainës, i cili mbetet shënjestra kryesore e sulmeve ruse.

Sulmet ruse me raketa dhe dronë gjatë dy viteve të fundit kanë shkatërruar rreth 40% të nënstacioneve të energjisë dhe pajisjeve të lidhura me të.

Në një sulm të rrallë kibernetik që sapo është bërë publik, hakerët e lidhur me agjencinë e inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU, shkaktuan ndërprerje të energjisë në Ukrainë në tetor 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos