Edhe pse luftimet mes Izraelit dhe Hamasit vijojnë të ashpra, grupi militant që udhëheq rripin e Gazës pretendon se janë pranë një marrëveshje armëpushimi. Është kreu i grupit Ismail Haniyeh që e bën të ditur diçka të tillë përmes një deklarate për agjencinë e lajmeve Reuters. Pa dhënë detaje, ai thotë se Hamas i kishte dërguar përgjigje negociatorëve nga Katari, dhe se marrëveshja do të mbyllej shpejt. Një zyrtar i grupit të militantëve deklaroi për televizionin Al Jazeera se bisedimet ishin përqendruar te kohëzgjatja e armëpushimit, mundësimi i hyrjes së ndihmave në Gaza dhe shkëmbimi i pengjeve izraelite të mbajtur nga Hamasi, me të burgosurit palestinezë.
Siç bëhet e ditur, të dyja palët do të lirojnë gratë dhe fëmijët dhe detajet do të njoftohen nga Katari. Më herët edhe presidenti amerikan, Joe Biden, e po ashtu zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë John Kirby, thanë se një ujdi mund të arrihej shpejt dhe do të përfshinte lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të pauzave në luftime.
“Ne besojmë se jemi më pranë se kurrë arritjes së një ujdie. Prandaj kemi shpresë. Por pavarësisht sinjaleve pozitive, situata në Gaza mbetet e rëndë, ndërsa Izraeli vijon të përqëndrojë operacionin ushtarak rreth spitaleve apo kampeve të refugjatëve”, tha John Kirby.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve, të paktën 17 palestinezë u vranë gjatë bombardimit të kampit Nuseirat. Të shtëna vijojnë të dëgjohen edhe në kompleksin e spitalit indonezian i rrethuar nga tanket izraelite.
Të hënën u raportuan 12 viktima e dhjetëra të plagosur, ndërsa rreth 700 vetë mbeten të bllokuar atje mes zjarrit izraelit. 28 bebe të lindura para kohe të evakuuara nga spitali i Al Shifës në Gaza u evakuuan në Egjipt për trajtim urgjent të mërkurën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres denoncoi ato që i quajti vrasje të pashembullta të palestinezëve, ndërsa shefi i OBSH-së, Gebrejesus u shpreh i tmerruar nga sulmet. (A2 Televizion)