Liderët e Bashkimit Europian ranë dakord të enjten në mëngjes për një marrëveshje që parashikon krijimin e një fondi prej 50 miliardë eurosh ndihma për Ukrainën. Marrëveshja u arrit pasi Viktor Orbán hoqi dorë nga vetoja.
Vendimi u mor në fillim të një samiti të jashtëzakonshëm në Bruksel, ku fondi ishte tema kryesore e rendit të ditës.
“Të 27 liderët ranë dakord për një paketë shtesë prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën brenda buxhetit të BE-së”, tha Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian.
"Kjo siguron financimin e qëndrueshëm, afatgjatë dhe të parashikueshëm për Ukrainën. BE-ja po merr udhëheqjen dhe përgjegjësinë në mbështetje të Ukrainës, ne e dimë nga çfarë rrezikohemi nësë bëjmë të kundërtën."
Deri të enjten në mëngjes, kryeministri hungarez Viktor Orbán po bllokonte i vetëm zhbllokimin e ndihmave të reja për Kievin, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga vendi i shkatërruar nga lufta, të cilit i duhen 34.45 miliardë euro, donacione nga perëndimi për të mbajtur në këmbë ekonominë në vitin 2024.
Ndjenja e urgjencës u rrit në mes të dhjetorit kur Orbán e bllokoi fondin e propozuar nga BE.
Zhbllokimi i fondit për Ukrainën, i cili është i lidhur me një rishikim më të gjerë të buxhetit të përbashkët shumëvjeçar të bllokut, kërkoi një miratim unanim, një rregull votimi që Orban e ka shfrytëzuar me mjeshtëri edhe në të kaluarën në favor të tij. (A2 Televizion)