Reagimet ndërkombëtare vijojnë të rriten kundër planit të Presidentit Donald Trump për të marrë kontrollin e Gazës dhe për të zhvendosur palestinezët që jetojnë atje.
Sipas mediave të huaja, këtë mëngjes, Malajzia tha se çdo propozim për zhvendosjen e tyre të detyruar përbën spastrim etnik dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Indonezia fqinje tha se hidhte poshtë "çdo përpjekje për të zhvendosur me forcë palestinezët ose për të ndryshuar përbërjen demografike të territorit të pushtuar palestinez".
Këto dy shtete i bashkohen grupit të vendeve që kanë kritikuar ashpër propozimin e Trump që prej njoftimit të së martës në mbrëmje, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Spanjën dhe Turqinë, të cilat e quajtën atë "absurd".
Idetë tërhoqën gjithashtu kundërshtime nga fuqitë botërore Rusia, Kina dhe Gjermania, të cilat thanë se do të nxisnin "vuajtje të reja dhe urrejtje të re".
Vendi me peshë të rëndë rajonale dhe aleati i SHBA-së, Arabia Saudite, e hodhi poshtë propozimin plotësisht, shkruan A2 CNN.
Ishte e paqartë nëse Trump do të vazhdonte me propozimin e tij apo po parashtronte një pozicion ekstrem si një marifet pazaresh.
Mbreti Abdullah i Jordanisë, i cili do të takohet me Trump në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme, tha se ai refuzoi çdo lëvizje për aneksimin e tokës dhe zhvendosjen e palestinezëve.
Egjipti tha se do të mbështeste planet e rimëkëmbjes së Gazës pa lënë palestinezët të lëvizin nga territori. (A2 Televizion)