Prej 17 ditësh nën tokë, shpëtohen mes brohoritjeve dhe lotëve 41 minatorë në Indi

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2023, 16:49 | Bota

Dyzetenjë punëtorë që u shpëtuan nga një tunel i shembur në Indi janë pritur me brohoritje dhe lot gëzimi. Minatorët, të cilët kishin mbetur të bllokuar nën Himalaje, u shpëtuan pas një operacioni kërkimi që zgjati 17 ditë.

Ekipet e shpëtimit gërmuan mes shkëmbinjve dhe masivit me dhe derisa arritën tek minatorët.

U deshën javë të tëra për të hapur një rrugë shpëtimi për punëtorët përmes malit, ndërsa dy metrat e fundit janë gërmuar me dorë, përpara se minatorët të shihnin më në fund dritën.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin Pushkar Singh Dhami, kryeministër i shtetit Uttarakhand duke takuar punëtorët, të cilët dukej se ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Burrat mbetën të bllokuar që nga 12 nëntori, kur pjesa e tunelit që ata po ndihmonin për të ndërtuar në shtetin verior të Indisë Uttarakhand u zhvendos, duke bllokuar daljen e tyre të vetme me më shumë se 60 metra gurë të thyer, beton dhe metal të përdredhur.

Minatorët, të gjithë punëtorë emigrantë nga disa prej shteteve më të varfra të Indisë, mundën të furnizoheshin me ushqim, ujë dhe oksigjen përmes një tubi 53 metra që arriti të depërtojë mes gërmadhave dhe kështu, jeta e tyre nuk u vu në rrezik.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani