Çfarë po përgatit Koreja e Veriut? Sateliti spiun fotografon Shtëpinë e Bardhë, Pentagonin dhe Romën

Nga Xhevahir Qardaku
28 Nëntor 2023, 16:52 | Bota

Sateliti spiun i Koresë së Veriut ka vënë në shënjestër Europën dhe Amerikën. I lëshuar pak ditë më parë nga Peniani, ka arritur që të shkrepë imazhe të Romës, Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit në Shtetet e Bashkuara.

Këtë e njofton agjencia e lajmeve shtetërore, KCNA, që shpjegon se fotografitë janë analizuar nga diktatori Kim Jon Un në sajë të “parapërgatitjeve për operacionin e satelitit të zbulimit ‘Malligyong-1’, përpara nisjes së misionit të tij zyrtar”.

Sateliti ka kapur edhe imazhe të bazës ajrore ushtarake amerikane Anderson në ishullin Guam në Paqësor, të stacionin detar Norfolk dhe të kantierit detar në Virxhinia.

Gjithashtu ka përjetësuar në imazhe edhe katër avionëmbajtëse bërthamore të marinës amerikane dhe një luftanije britanike.

Më 21 nëntor, Koreja komuniste zhvilloi me sukses lëshimin e satelitit që përdoret për spiunazh, me ndihmën e Rusisë, pas dy dështimeve të mëhershme. Pas këtij episodi, Koreja e Jugut njoftoi pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes ushtarake me Veriun, gjë e cila nxiti Penianin të rikthente armët e rënda përgjatë kufirit.

Gjatë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të mbajtur të hënën, anëtarët shprehën qëndrime të kundërta për dënimin e Koresë së Veriut për lëshimin e satelitit spiun.

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diktatori Kim Jong Un po kërkon që të zhvillojë më tej sistemet e lëshimit të armëve bërthamore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos