“Prioritet t’i jepet Ballkanit Perëndimor”, Hungaria del kundër Ukrainës në BE: Na fut në luftë!

Nga Xhevahir Qardaku
9 Nëntor 2023, 16:03 | Bota

Ka zgjatur vetëm pak orë festa e Ukrainës pasi Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit për në BE. Hungaria është shteti i parë që rreshtohet kundër këtij vendimi, duke ngritur shqetësime për sigurinë e bllokut. 

“Ministri i jashtëm ka shprehur shqetësimin se Ukraina nuk është gati për anëtarësim në BE për shkak të konflikteve të vazhdueshme, të cilat mund të sjellin luftë në BE. Ai theksoi dështimin e Ukrainës për të përmbushur kriteret e vendit kandidat për në BE dhe theksoi shkeljet e të drejtave të pakicave. Shefi i diplomacisë bëri thirrje gjithashtu për prioritizimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, veçanërisht përparimin e Serbisë.”, tha Zoltan Kovacs, zëdhënës i qeverisë së Hungarisë.

Më herët, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Ukraina i ka përmbushur thuajse plotësisht kërkesat dhe rekomandimet, ndërsa njoftoi se një vendim zyrtar për hapjen ose jo të negociatave pritet në dhjetor nga Këshilli Europian.

Sakaq, në Kiev diskutohet për rifillimin e negociatave për paqe. Por ministri i jashtëm, Dmitro Kuleba, refuzon në mënyrë kategorike një tryezë paqeje me Rusinë dhe ata që e kërkojnë një gjë të tillë i quajti të painformuar mirë ose pro-rusë.

“Negociatat me Rusinë do të jenë një tjetër kurth për Ukrainën, që do t'i lejojë presidentit Vladimir Putin të pushojë, përpara se të nisë një raund të ri agresioni”, tha ai.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Moska thotë se ka ardhur koha që Kievi dhe Uashingtoni të kuptojnë se është e pamundur që të mposhtet Rusia në fushën e betejës.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni