KE miraton paketën e zgjerimit, kërkohen garanci për sigurinë në rajon, Kosova varet nga dialogu

Nga Rosalba Bejdo
8 Nëntor 2023, 15:27 | Kosova



Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian sapo të përmbushë kushtet përfundimtare, duke e çuar Kievin një hap më afër qëllimit të vet strategjik teksa lufton kundër Rusisë.

Një rekomandim të ngjashëm bëri edhe për Moldavinë, e po ashtu për Gjeorgjinë tha se edhe ky vend duhet të marrë statusin zyrtar të kandidatit, nëse i plotëson kushtet e përcaktuara nga blloku.

Në një konferencë për shtyp, pas miratimit të paketës së zgjerimit, bashkë me raportet individuale të progresit për 10 shtete, përfshirë Shqipërinë, presidentja e KE-së, Ursula Von Der Leyen theksoi se vendet e rajonit kanë ende punë përpara, por duke intensifikuar reformat në një procesin e bazuar te meritat, kishin treguar vendosmërinë dhe vullnetin për t’iu bashkuar bllokut.

Për Kosovën, i vetmi vend mes të dhjetëve që nuk ka rekomandim për statusin e kandidatit, rruga drejt BE-së u lidh ngushtësisht me suksesin në dialog dhe krijimin e asociacionit.

“Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëllim shumë të qartë lidhur me anëtarësimin në BE, që ne të jemi të qartë se çfarë presim nga Kosova. Ne diskutuam, kur isha në rajon, për zbatimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe ky zbatim do të ishte një hap i madh përpara. Është në interes së Kosovës”, tha Ursula VonDer Leyen.

Edhe pse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se Këshilli ende nuk ka kërkuar nga komisioni që të japë opinion për këtë.

“Ne jemi të gatshëm të japim opinionin. Ata duhet t'i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun të suksesshëm”, theksoi Varhelyi.

Në konferencën për shtyp krah Von der leyen, Varhely kërkoi garanci për sigurinë në Ballkanin Perëndimor në këmbim të ndihmës për integrim të shpejtë.

“Plani ynë është që të integrojmë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë të interesuara, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe sa më shpejt që të përmbushin detyrimet që burojnë nga rregullat tona. Për këtë jemi të gatshëm t’i ndihmojmë dhe të vendosim në dispozicionin e tyre çdo mjet që kemi në dispozicion. Por kemi një kërkesë në këmbim. Duam që kjo të kontribuojë gjerësisht edhe në qëndrueshmërinë, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit. Prandaj u kërkojmë që të trajtojnë njëri-tjetrin, ashtu si do të na trajtojnë neve”, tha Varhely.

Në hijen e paketës së zgjerimit, Komisioni Evropian miratoi edhe planin ambicioz për rritje ekonomike në vendet e rajonit, prej 6 miliardë eurosh. Plani përmban një varg propozimesh për integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në shumë politika dhe programe të BE-së edhe para se të bëhen anëtare formale të bllokut.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi