Raketa ruse shkel hapësirën ajrore të shtetit anëtar të NATO-s

Nga Xhevahir Qardaku
24 Mars 2024, 19:33 | Bota

Polonia akuzon Rusinë se shkeli hapësirën e saj ajrore. Sipas ushtrisë së Varshavës, një nga raketat e lundrimit të lëshuara nga forcat e Putinit gjatë sulmit në Ukrainë kaloi për pak kohë në territorin e vendit anëtar të NATO-s.

“Objekti hyri në hapësirën polake pranë qytetit Oserdow dhe qëndroi atje për 39 sekonda”, raportuan forcat e armatosura polake në platformën sociale X. “Gjatë gjithë fluturimit raketa u vëzhgua nga sistemet e radarëve ushtarakë”, nënvizohet më tej në njoftim.

Ndërkohë, Rusia sulmoi Ukrainën gjatë natës me 14 bombardues strategjikë Tu-95MS që u ngritën nga baza Olenya në gadishullin Kola. Sirenat e alarmit ajrore kumbuan për më shumë se dy orë dhe disa grupe raketash u lëshuan në drejtim të rajonit Lviv, në Ukrainën perëndimore. Por ushtria e Zelenskit njoftoi se ka rrëzuar të paktën 10 raketa të Moskës mbi Kiev dhe në afërsi të kryeqytetit.

Ky është sulmi i tretë masiv radhazi në Ukrainë në ditët e fundit dhe i dyti mbi Kiev. Sakaq, qendra kryesore e komunikimit e flotës ruse të Detit të Zi në Sevastopolin e pushtuar, në Krime, u godit nga të paktën tre raketa lundrimi “Storm Shadow”, një armë britanike që e posedon Ukraina. Por, Rusia thotë se zmbrapsi një sulm me raketa të Kievit në qytetin e Sevastopolit në Krime, një gadishull i aneksuar në vitin 2014 nga Moska, mbetjet e të cilit plagosën një fëmijë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos