‘’Rusia do të mposhtej nga NATO’’, Kremlini: Armët bërthamore në Poloni, shënjestër legjitime

Nga A2 CNN
25 Prill 2024, 17:00 | Bota

Çdo armë bërthamore e NATO-s që do të pozicionohet në Poloni do të konsiderohet shënjestër legjitime e Moskës, në rastin e një përplasje me aleancën.

Rusia u kujdes ta bënte të qartë dicka të tillë përmes deklaratave të përsëritur si nga zv.ministri i jashtëm Sergey Ryabkov, ashtu edhe zëdhënësja Maria Zakharova.

Reagimi erdhi pasi presidenti polak Andrej Duda shprehu gatishmërinë për të mirëpritur armë bërthamore të shteteve të tjera anëtare, mes kërcënimeve në rritje nga Moska.

“Duket sikur Varshava po përpiqet me çdo kusht të tërheqë edhe më shumë vëmendje nga planifikuesit ushtarak të Rusisë. Siç mund ta merrni me mend nuk është e vështirë të kuptohet se në rastin e shfaqjes së ndonjë arme bërthamore amerikane në territorin polak, objektet në fjalë do hynin menjëherë në listën e shënjestrave legjitime për tu shkatërruar, në rastin e një konfrontimi direkt me NATO-n”, u shpreh Zakarova.

Polonia sakaq, e cila është mes vendeve që ndihen më të rrezikuara nga ndonjë agresion i mundshëm i Rusisë, për shkak të afërsisë me Ukrainën, e ka intensifikuar retorikën e luftës.

Në një deklaratë të fundit, ministri i Jashtëm në Varshavë, Radosław Sikorski paralajmëroi se një konflikt mes Putinit dhe NATO-s'do të përfundonte me mundjen e pashmangshme të Rusisë.

“Nuk jemi ne që duhet t’i frikësohemi një përplasje me Putinin, por është e kundërta’, deklaroi ai gjatë një fjalimi në dhomën e ulët të parlamentit.

Sipas tij, aleanca ushtarake perëndimore ka 3 herë më shumë personel ushtarak dhe resurse ajrore, dhe 4 herë më shumë luftanije se Rusia.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos