Sabotonin në emër të Rusisë, Polonia arreston 9 "spiunë" të Kremlinit

Nga A2 CNN
21 Maj 2024, 08:38 | Bota

Sabotonin në emër të Rusisë, Polonia arreston 9

Nëntë persona që dyshohet se kanë kryer akte sabotuese në vend me urdhër të shërbimeve ruse, janë arrestuar nga Polonia. Lajmin e dha vetë kryeministri Donald Tusk në orët e vona të mbrëmjes së të hënës.

Varshava thotë se pozicioni i saj si një qendër për furnizimet që dërgohen nga Perëndimi në Ukrainë e ka bërë atë një objektiv kyç për shërbimet e inteligjencës ruse dhe akuzon Moskën se po përpiqet të destabilizojë Poloninë.

Për momentin ne kemi arrestuar nëntë të dyshuar dhe i kemi akuzuar për akte sabotimi në Poloni drejtpërdrejt në emër të shërbimeve ruse. Këto akte përfshijnë rrahje, zjarrvënie dhe tentativë për zjarrvënie”, tha Tusk për transmetuesin privat TVN24.

Kreu i ekzekutivit polak shtoi se Varshava po punon me aleatët e saj për këtë çështje dhe se skema ruse e komplotit prek gjithashtu Lituaninë, Letoninë dhe ndoshta Suedinë.

Ky zbulim i autoriteteve polake vjen pasi Tusk tha në fillim të këtij muaji se Polonia do të shpenzojë 23.5 milionë euro për të investuar në përmirësimin e shërbimeve të saj të inteligjencës për shkak se kërcënohen nga Rusia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos