Uragani Milton, i pagëzuar si “Stuhia e shekulli”, preku tokën në Gjirin e Tampas në Florida në orët e para të së enjtes, duke mbjellë shkatërrim dhe frikë. Ai solli me vete tornado, përmbytje dhe valë stuhish, duke zhytur në errësirë mbi 2 milionë banesa dhe biznese e duke shkaktuar një numër viktimash në brigjet e atlantikut.
Pak orë pas përplasjes së Milton në tokën amerikane, presidenti amerikan ftoi të gjithë qytetarët në trajektoren e uraganit të strehoheshin në zona të sigurta, duke ndjekur udhëzimet e autoriteteve.
“Milton ka erëra tejet shkatërruese, mund të shfarosë komunitete dhe mund të sjellë humbje të jetëve njerëzore. Vërshimet mund të arrijnë deri në 3. 9 metra. Ndonjëherë zhvendosja me vetëm pak kilometra, mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes”, ishin fjalët e Biden.
Fillimisht uragan i kategorisë së 5, Milton mbërriti në Florida si stuhi e kategorisë 3 për t’u dobësuar më pas në kategorinë e parë. Por edhe si i tillë po mbjell shkatërrim në rrugën e tij. (A2 Televizion)