Tensionet mes Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut, pas qiellit, tashmë kanë zbritur dhe në tokë. Ushtarët e Seulit kanë qëlluar me armë zjarri disa të shtëna paralajmëruese pasi trupat e vendit komunist kaluan kufirin gabimisht. Këtë e njofton vetë ushtria e Jugut, që saktëson se incidenti ka ndodhur në zonën e demilitarizuar.
“Një grup i vogël ushtarësh të Koresë së Veriut, të pajisur me vegla për punimin e tokës, përfshirë kazma, hynë në Korenë e Jugut në orën 12:30. Ata ishin rreth 20 kur kaluan zonën kufitare. Ata u tërhoqën menjëherë pasi qëlluam me të shtëna paralajmëruese.”
USHTRIA E KORESË SË JUGUT
Në javët e fundit, Koreja Komuniste ka lëshuar me qindra balona të mbushura me mbeturina nga qytetet kufitare drejt Jugut. Seuli është kundërpërgjigjur duke rikthyer në funksion lëshimin e propagandës me altoparlantë me muzikë pop dhe materiale të tjera kulturore e informative. Gjithashtu, disa aktivistë kanë lëshuar balona me informacione propagande në territorin e Koresë Komuniste. Ushtria e Seulit raporton se nuk ka pasur lëvizje të tjera nga Veriu në zonën kufitare pas tërheqjes së ushtarëve të Kim Jong Un. Por pranon se shenjat që përcaktojnë kufirin nuk janë të dukshme për shkak të mbulimit nga shkurret.
Të hënën, motra e diktatorit Kim Jong Un, Kim Yo Jong, kërcënoi Jugun me “kundërveprime të reja” nëse do të vazhdonte me transmetimin e këngëve me altoparlantë dhe nuk do të ndalonte aktivistët në dërgimin e balonave me propagandë. Dhjetorin e kaluar, Peniani i dha fund të gjitha përpjekjeve për paqe me Seulin. Që nga ai moment, Koreja Komuniste ka shkatërruar monumentin simbolik të bashkimit në kryeqytet dhe ka ndërprerë çdo komunikim me Jugun. (A2 Televizion)