Në Katania një ndërtesë trekatëshe u shemb për shkak të një shpërthimi gazi në lagjen San Giovanni Galermo. Shpërthimi ndodhi teksa dy ekipe të kompanisë po punonin për të ndalur një rrjedhje gazi në rrjetin e qytetit.
Kryetari i bashkisë së Katanias, Enrico Trantino tha se ka informacione për dhjetë persona të plagosur dhe disa prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.
Nuk ka asnjë informacion për viktima të mundshme, por as për shkakun që çoi në rrjedhjen e gazit.
Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje me tre ekipe, duke përfshirë njësi speciale Nbcr (Radiologjike Kimike Bakteriologjike Bërthamore). Njësia e krizës e aktivizuar nga Prefektura e Katanias po organizon evakuimin e të paktën 150 personave nga zona, por numri i të lënduarve është aktualisht i përkohshëm dhe mund të rritet.
Shpresa është që duke qenë se këto janë ndërtesa publike që po rinovohen, të mos ketë pasur brenda tyre shumë njerëz.
Rruga në lagjen San Giovanni Galermo të Katanias duket si një skenë lufte. Në zonë ka një ndërtesë dhe një makinë në flakë, ndërsa rreth dhjetëra ekipe shpëtimi lëvizin në kërkim të personave të plagosur ose të zhdukur.
“Pasdite vura re një zjarrfikës në hyrje të Odës. Banorët ndjenë një erë të fortë gazi. Fillimisht menduam se kishte ndodhur diçka në ndërtesën tonë, pastaj dëgjuam zhurmën dhe dolëm jashtë, dhe nga Viale Tirreno pamë flakë, Pastaj pati më shumë shpërthime”, rrëfeu një dëshmitar. (A2 Televizion)