Shtrenjtohen dekoret për Ramazan, besimtarët në Kajro përballen me rritje të çmimeve

Nga Anxhela Celibashi
13 Mars 2024, 10:56 | Bota

Fenerët dekorativë të muajit të Ramazanit, janë shtrenjtuar shumë këtë vit në Kajro. Besimtarët atje thonë, se pavarësisht kësaj rritje çmimesh që ua rëndon xhepat, shtëpinë nuk do ta lënë pa dekorin tradicional të muajit të bekuar.

Përpara xhamisë historike al-Sayeda Zainab në qendër të Kajros, fenerë të mëdhenj dhe shumëngjyrësh mbushën rrugët, ndërsa blerësit egjiptianë shikonin përreth për të blerë dekorimin tradicional  që lidhet me muajin e shenjtë mysliman të Ramazanit.

Në këtë vend feneri nuk është vetëm një send dekorativ, por është një traditë, një histori. “Nuk janë vetëm për fëmijët, por për të gjithë ne. Për ne, feneri, qoftë për lidhjen historike, qoftë për lidhjen me lagjen - përfaqëson dritën që na sjell muaji, është diçka që na ndriçon jetën. Ramazani është një muaj që me të vërtetë na ndriçon jetën, edhe nëse jeta është e vështirë ose nëse ka probleme, sapo fillon muaji i Ramazanit, ndjehesh sikur të gjitha problemet janë zhdukur dhe kjo e bën jetën më të mirë”.

Shtrenjtohen dekoret për Ramazan, besimtarët në Kajro

Por, kriza ekonomike ka prekur edhe këtë sektor, duke bërë presion te shitësit, për rritje të çmimit, çka ka sjellë edhe pamundësi për të blerë fenerin që preferojnë.

Disa blerës thanë se çmimet e fenerëve dekorativë tradicionalë janë më të larta se vitet e kaluara. Megjithatë, ata thanë se do ta blejnë atë për të përjetuar frymën e muajit.

"Në të kaluarën, jeta ishte më e thjeshtë, por tani gjërat janë më të shtrenjta," tha blerësi egjiptian, Ihab Lofty. "Pavarësisht se sa kushton, ne duhet të blejmë fenerë të Ramazanit. Feneri i Ramazanit është i domosdoshëm."

Ndryshimin e çmimit të këtij produkti e ndjejnë të gjithë. Ata thonë se fenerët që janë prodhuar në Egjipt kanë një çmim më të përballueshëm, ndërsa ja vënë fajin shtrenjtimi të lëndës së parë që përdoret për fenerët e ramazanit. 

Megjithatë, një gjë është e sigurt, myslimanët atje, nuk do e lënë shtëpinë pa dekorin tradicional të  muajit të Ramazanit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos