Sondazh: Preferoni që emri i fëmijës tuaj të jetë:
  • Tradicional 42%
  • Modern 8%
  • I trashëguar 8%
  • Unik 42%

Sukses në mjekësi! Virusi HIV pritet “me gërshërë” nga qeliza e infektuar

Nga A2 CNN
20 Mars 2024, 10:09 | Bota

Sukses në mjekësi! Virusi HIV pritet “me

Shkencëtarët thonë se kanë eliminuar me sukses virusin HIV nga qelizat e infektuara, duke përdorur teknologjinë “Crispr” e editimit të gjeneve, e cila ka fituar edhe një Çmim Nobel.

Kjo teknologji bën punën e gërshërëve, por në nivel molekular dhe arrin të presë ADN-në duke bërë të mundur çaktivizimin ose shkëputjen e saj.

Pas kësaj prove të suksesshme, shkencëtarët shpresojnë që të arrijnë të pastrojnë trupin e njeriut tërësisht nga virusi, edhe pse do të duhet ende punë për të vërtetuar që kjo mënyrë është e sigurt dhe e efektshme.

Mjekimet e deritanishme për virusin HIV, që shkakton SIDA-n, mund ta ndalojnë përparimin e virusit, por jo ta eliminojnë atë.

Ekipi i Universitetit të Amsterdamit, që prezantoi testimin gjatë një konference mjekësore këtë javë, theksoi se puna e tyre është ende në fazat e para dhe se do të duhet kohë për t’u bërë kura e HIV-it.

Edhe shkencëtarë të tjerë po përpiqen të përdorin këtë teknologji kundër HIV-it. Kompania Excision BioTherapeutics thotë se pas 48 javësh, 3 vullnetarë me HIV që i janë nënshtruar kësaj ndërhyrjeje nuk kanë shfaqur efekte të rënda anësore.

Megjithatë, studiues të tjerë të kësaj çështjeje thonë se do të jetë tepër sfiduese për këtë teknologji që të sulmojë të gjitha qelizat e infektuara. Shqetësime janë ngritur edhe për efektet anësore afatgjata.

Virusi HIV sulmon qelizat e sistemit imunitar dhe i përdor për t’u shumëfishuar. Edhe nëse një i sëmurë i nënshtrohet trajtimit mjekësor dhe disa persona janë shpallur “të shëruar plotësisht”, virusi nuk zhduket, por qëndron i fshehur në ADN, në gjendje të fjetur.

Shumica e njerëzve të infektuar marrin ilaçe antivirale përgjatë gjithë jetës dhe nëse i ndërpresin, virusi mund të rizgjohet dhe të shkaktojë sërish probleme.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli