
Një mjek i kujdesit paliativ në Gjermani është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për vrasjen e 15 pacientëve të tij, ndërsa autoritetet dyshojnë se ai mund të jetë përgjegjës për dhjetëra viktima të tjera.
Gjykata në Berlin e shpalli fajtor 41-vjeçarin, i identifikuar si Johannes M., për vrasjen e 12 grave dhe tre burrave gjatë periudhës nga shtatori 2021 deri në korrik 2024. Viktimat ishin të moshës nga 25 deri në 94 vjeç dhe, ndonëse vuanin nga sëmundje të rënda, sipas gjykatës, nuk ndodheshin në prag të vdekjes.
Sipas prokurorëve, mjeku u administronte pacientëve një kombinim vdekjeprurës ilaçesh pa pëlqimin e tyre gjatë vizitave në shtëpi. Në disa raste, ai dyshohet se u vuri flakën banesave të viktimave për të fshehur gjurmët e krimit.
Një nga episodet më tronditëse ndodhi në korrik 2024, kur, sipas hetimeve, ai vrau dy pacientë brenda së njëjtës ditë – një burrë 75-vjeçar dhe disa orë më vonë një grua 76-vjeçare. Pas krimit të dytë, ai tentoi t’i vinte zjarrin banesës së viktimës, por nuk ia doli.
Për pjesën më të madhe të procesit gjyqësor, i cili zgjati rreth një vit, mjeku nuk dha deklarata. Vetëm muajin e kaluar ai pranoi se kishte vrarë 12 pacientë, duke pretenduar se besonte se po u jepte fund vuajtjeve të tyre.
“Gjatë gjithë kësaj, mendova se kjo ishte gjëja më e mirë për të gjithë”, deklaroi ai para gjykatës, duke kërkuar falje për dhimbjen e shkaktuar.
(A2 Televizion)