“Trashëgimtari” në qeveri? Donald Trump konsideron Ron DeSantis për postin kyç

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2024, 14:33 | Bota

“Trashëgimtari” në qeveri? Donald Trump konsideron Ron

Presidenti i zgjedhur Donald Trump po shqyrton mundësinë e zëvendësimit të Pete Hegseth, kandidatit të tij të kontestuar për kreun e Pentagonit, me Guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, raporton Wall Street Journal.

Hegseth, ish-veteran i ushtrisë dhe prezantues i Fox News, përballet me akuza të shumta për sjellje të papërshtatshme seksuale dhe keqpërdorim financiar. Nëse emërimi i tij shkon në Senat për miratim, ai mund të hasë në rezistencë të ashpër, përfshirë nga gjashtë senatorë republikanë që kanë shprehur shqetësime për të kaluarën e tij.

Ron DeSantis, një ish-anëtar i Korpusit të Avokatëve të Marinës së SHBA-së, ishte fillimisht në listën e ngushtë të kandidatëve për këtë post, para se Trump të vendoste për Hegseth. Tani, pas zbulimeve të reja mbi akuzat e Hegseth, emri i DeSantis është propozuar sërish.

DeSantis, i cili ka qenë kritik i ashpër i politikave të deritanishme të Pentagonit, ka propozuar eliminimin e nismave për diversitet dhe reduktimin e programeve të ushtrisë mbi ndryshimet klimatike. Ai gjithashtu ka shprehur kundërshtim ndaj ngjarjeve si shfaqjet e “drag-queen” në bazat ushtarake dhe premtoi të rivendosë ushtarët e përjashtuar për mospranimin e vaksinave anti-COVID.

Emërimi i DeSantis si Sekretar i Mbrojtjes mund të sjellë stabilitet dhe mbështetje më të gjerë nga republikanët në Senat. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Trump, i cili mund të zgjedhë edhe kandidatë të tjerë.

DeSantis ishte një ndër republikanët më të preferuar të elektoratit, por në primaret brenda partisë ai nuk arriti të dilte mbi Trump dhe u tërhoq nga kandidatura për president të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë ai shihet si pasardhës i presidentit të zgjedhur dhe mund të kandidojë pas katër vitesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos