Trump pret Zelenskyn dhe Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë, në fokus lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme

Nga A2 CNN
27 Korrik 2026, 22:26 | Bota

Trump pret Zelenskyn dhe Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë,

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të presë këtë të martë në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në dy takime të ndara që pritet të përqendrohen te dy prej krizave më të mëdha gjeopolitike të momentit.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, cituar nga CNN, Trump dhe Netanyahu do të diskutojnë zhvillimet e fundit të luftës me Iranin, përparimin e negociatave me Libanin, si dhe përpjekjet për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit.

Presidenti amerikan pranoi se ai dhe Netanyahu nuk ndajnë të njëjtin qëndrim për çdo aspekt të çështjes iraniane, por theksoi se marrëdhëniet mes tyre mbeten të forta.

"Kemi një ndryshim të vogël, por jemi shumë të afërt," u tha Trump gazetarëve.

Ndërkohë, gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në qendër të diskutimeve do të jetë procesi i paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.

"Tani është koha për t'i dhënë fund luftës", tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, duke nënvizuar objektivin e administratës amerikane për të shtyrë përpara negociatat.

Më herët gjatë ditës, Trump hodhi poshtë pretendimet e Zelenskyyt se Rusia po i ofron Iranit informacione mbi bazat ushtarake amerikane.

"Nuk mendoj se ata e kanë bërë këtë, sigurisht jo në një nivel të lartë," deklaroi presidenti amerikan.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos