“Ndihem i turpëruar nga Parlamenti i vendit tim. Nuk më përfaqëson”, Krasniqi debat me deputetin e PS

Nga A2 CNN
27 Korrik 2026, 21:27 | Politikë

Duke komentuar miratimin në Kuvend të marrëveshjes së huasë me SHBA-të, politologu Afrim Krasniqi dhe deputeti socialist Pirro Vengu, u përfshinë në një debat në lidhje me rolin e Parlamentit dhe sa përfaqësues është ai.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Krasniqi tha se ndihet i turpëruar dhe i papërfaqësuar nga Parlamenti. Ish-ministri i Mbrojtjes Vengu u përgjigj duke u shprehur se përfaqësimi nuk përcaktohet nga opinionet e dikujt.

DEBATI

Krasniqi: Unë jam shtetas i Republikës së Shqipërisë, paguaj taksa dhe ndihem i turpëruar nga Parlamenti i vendit tim. Mënyra si i trajton edhe vendimet e rëndësishme, edhe etikën, protokollin, përfaqësimin, dinjitetin, integritetin dhe aleatët strategjik. Do t’i bënte shumë më nder Parlamentit të kishte qasje shumë më serioze, dhe institucionale.

Kjo është legjislatura e parë dhe e vetme deri tani që ka përjashtuar në mënyrë apriori përfaqësimin e opozitës në komisionin e posaçëm parlamentar, që mbulon edhe çështjet e integrimit, dhe ky është një tregues që s’ka pasur vullnet politik për vendime konsensuale. Gjithmonë përjashtohen deputetë nga opozita, dhe gjithmonë heshtet...

Parlamenti e ka humbur kontrollin e vetvetes. Ky Parlament s’e përfaqëson as qytetarin mesatar shqiptar, as kulturën e shoqërisë shqiptare, as mentalitetit, nevojat, sfidat.

Vengu: Të drejtat e përfaqësimit fatmirësisht nuk përcaktohen as nga opinionet tuaja dhe as nga viraliteti. Nuk mund të pranoj teza të tilla...

Krasniqi: Ju mblodhi kryetari i partisë dhe ju propozoi fillimin e një procesi ku të dëgjoni. Mirë që s’dëgjuat njëri-tjetrin në sallë, por të paktën na dëgjoni.

Vengu: Ju dëgjova me shumë vëmendje.

Krasniqi: Nëse jeni zë i moderuar, duhet të bëni më shumë presion te politika e vjetër, që pjesa tjetër në sallë, dhe jashtë sallës, janë shtetas të Republikës së Shqipërisë, dhe ky Parlament ka detyrim ndaj tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos