Deputeti Pirro Vengu dha detaje në lidhje me marrëveshjen e huasë me SHBA-të, duke zbuluar se ajo është negociuar dy vite më parë dhe nuk është një pakt i bërë në momentin e fundit.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Vengu e cilësoi një marrëveshje të madhe, ku në total 302 milionë dollarë dedikohen për të blerë sisteme ushtarake, pajisje të tjera, që janë prodhim amerikan.
“Nuk është fjala për një marrëveshje sekrete. Nene të kësaj marrëveshje kanë detyrime konfidencialiteti, të kërkuara nga pala amerikane. Bëhet fjalë për një program financimi armatimesh, me kredi, nga pala amerikane. Shqipëria merr kredi amerikane, për të bërë blerje armatime, pajisje, sisteme prodhimi amerikan. Shqipëria është përfituese për herë të parë si një pjesë e mirë e vendeve aleate në frontin Lindor”, tha ish-ministri i Mbrojtjes.
“Dëgjova të thuhet që marrëveshja u bë në moment të fundit, për të sjellë Presidentin amerikan në Shqipëri! Jo, është një marrëveshje e iniciuar prej më shumë se dy vitesh. Shprehu interesin e parë z.Peleshi, pastaj unë e konfirmova zyrtarisht, iniciuam bisedimet dhe negociatat dhe ato u finalizuan gjatë periudhës së pasardhësit tim z.Nufi. Është marrëveshja më e madhe nga pikëpamja financiare, 302 milionë dollarë të dedikuara për blerjen e sistemeve ushtarake, pajisjeve, armatimit, fuqisë së zjarrit”, vijoi deputeti. (A2 Televizion)