Tonet politike në SHBA po ashpërsohen në prag të presidencialeve 2024. Presidenti amerikan Joe Biden sulmoi rivalin Donald Trump, për të cilin tha se është i gatshëm të sakrifikojë demokracinë e vendit për t’u rikthyer në pushtet. Në tubimin e tij të parë elektoral në Valley Forge, pranë Filadelfias, kreu i Shtëpisë së Bardhë e krahasoi retorikën e përdorur nga paraardhësi i tij me atë të Gjermanisë naziste.
“Fushata e Donald Trump është vetëm për të; jo për Amerikën, jo për ju. Ai i quan kundërshtarët; parazitë. Flet për helmim të gjakut të Amerikës. Duke përdorur të njëjtën gjuhë të Gjermanisë naziste”, tha presidenti amerikan.
Bideni përkufizoi veprimet e Trump si shkeljet më të rënda të një presidenti në detyrë në historinë amerikane. Sipas tij, ekipi i fushatës së ish-presidentit është i fiksuar me të kaluarën dhe jo të ardhmen. Duke kujtuar trazirat e 6 janarit në Capitol, pikërisht në 3-vjetorin e ngjarjes, Biden fajësoi drejtpërdrejtë rivalin, duke e cilësuar një kërcënim për demokracinë.
“Mendoj se ai nuk duhet të lejohet të kandidojë. Ai po përpiqej të përmbyste qeverinë. I tha turmës të luftonte si në ferr. Dhe më pas ferri mbizotëroi”, u shpreh ai.
Në fjalimin e tij në Pensilvani, Biden u zotua të çonte përpara detyrën e shenjtë për mbrojtjen dhe ruajtjen e demokracisë amerikane. (A2 Televizion)