Opozitari më i zëshëm kundër presidentit Vladimir Putin, Alexei Navalni, i cili pushtoi titujt global kur u helmua me agjent nervor në vitin 2020, vdiq në moshën 47 vjeçare.
Njoftimin e dhanë autoritetet e një burgu federal rus në veri të rrethit Arktik, ku Navalni vuante dënimin me burg.
Siç thuhet, 47 vjeçari ishte ndjerë keq dhe ishte rrëzuar përdhe, teksa ecte në koloninë penale IK-3 në Kharp, rreth 1900 km në veri lindje të Moskës.
Figura më e njohur e opozitës, u bë i famshëm më shumë së një dekadë më parë, kur nisi të sulmonte klasën politike rreth presidentit Putin, dhe ngriti pretendime për korrupsion të shkallës së gjerë. Prej kohësh, ka qenë një gjemb në këmbe për presidentin Putin, duke bërë fushatë kundër partisë në pushtet, Rusia e Bashkua dhe duke orkestruar disa prej protestave më të mëdha antiqeveritare që janë parë në vite.
U rikthye në Rusi në vitin 2021 nga Gjermania, ku ishte kuruar pas helmimit me Noviçok në Siberi, një agjent nervor i epokës sovjetike. Menjëherë pas rikthimit u arrestua nën akuza që sipas tij ishin të motivuara politikisht dhe që atëherë ka qenë pas hekurave.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se Putin ishte informuar mbi vdekjen e tij, që vjen pak para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të 17 marsit, ku Putin pritet të sigurojë një mandat të 5.
Teksa vuante një dënim prej 11 vite e gjysmë për mashtrim dhe akuza të tjera, në gusht u dënua me 19 vite të tjera, pasi u shpall fajtor për krijimin e një komuniteti ekstremistësh dhe financimin e tyre.
4 muaj më vonë, avokatët e tij thanë se i kishin humbur kontaktet me Navalnin, dhe Shtëpia e Bardhë u shpreh thellësisht e shqetësuar për zhdukjen e tij. Pas mungesave në disa seanca gjyqësore, ekipi ligjor i 47-vjeçarit njoftoi në fund të dhjetori se e kishin lokalizuar atë në koloninë penale Ik-3 në Kharp, e njohur si ujk polar. (A2 Televizion)