Zelensky ofron shkëmbim të ushtarëve të Koresë së Veriut, Seuli: 300 ushtarë të Phenianit janë vrarë në Ukrainë

Nga A2 CNN
13 Janar 2025, 07:22 | Bota

Zelensky ofron shkëmbim të ushtarëve të Koresë së

Treqind ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë në Ukrainë dhe rreth 2700 janë plagosur. Këto të dhëna  janë publikuar nga inteligjenca e Seulit (NIS) në një seancë parlamentare, në lidhje me zhvillimet e fundit në bashkëpunimin midis Moskës dhe Phenianit.

Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky  ka deklaruar se është i gatshëm t'i dorëzojë dy ushtarët e kapur të Koresë së Veriut në Phenian në këmbim të të burgosurve ukrainas të luftës në Rusi.

"Ukraina është e gatshme t'i dorëzojë ushtarët e kapur të Koresë së Veriut te presidenti i Koresë së Veriut Kim Jong-un, nëse ai arrin të organizojë shkëmbimin me ushtarët tanë të burgosur në Rusi", u shpreh presidenti ukrainas, raporton A2 CNN.

"Për ata ushtarë të Koresë së Veriut që nuk dëshirojnë të kthehen, mund të ketë opsione të tjera në dispozicion," tha Zelensky në X, shkruan A2 CNN. Ata që duan "të sjellin paqen më afër duke përhapur të vërtetën për këtë luftë në koreanisht do t'u jepet kjo mundësi", shtoi ai.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) tha se njëri nga dy ushtarët u tha zyrtarëve se mendonte se do të shkonte në Rusi për "stërvitje", në vend që të luftonte.

Atij iu gjet një kartë identiteti ushtarake ruse e lëshuar në emër të një personi tjetër, ndërsa ushtari tjetër nuk kishte dokumente.

SBU tha se dy burrat, të cilët u kapën më 9 janar, janë në Kiev dhe po marrin kujdes mjekësor. Ata flasin vetëm koreanisht dhe po merren në pyetje me ndihmën e Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut.

Rusia nuk e ka mohuar përdorimin e trupave të Koresë së Veriut në luftën e saj kundër Ukrainës. Presidenti Vladimir Putin tha në tetor se ishte "vendimi sovran" i vendit të tij nëse do të vendoste apo jo trupa të tilla.

Të shtunën, Zelensky postoi fotografi të dy ushtarëve të kapur, duke treguar njërin prej tyre me kokën dhe mjekrën në fashë, ndërsa tjetri i kishte të dyja duart të mbështjella plotësisht.

Zyra e Zelenskyt tha në një deklaratë të shtunën se rusët "po përpiqen të fshehin faktin se këta janë ushtarë nga Koreja e Veriut duke u dhënë atyre dokumente që pretendojnë se janë nga Tuva ose territore të tjera nën kontrollin e Moskës".

Nga ana tjetër, shkruan A2 CNN, presidenti ukrainas u bëri thirrje aleatëve të respektojnë marrëveshjet për furnizimin me armë.

“Javën e kaluar, rusët nisën qindra sulme në qytete, fshatra dhe pozicione të luftëtarëve tanë të vijës së parë në Ukrainë, në vetëm një javë, gati 700 bomba ajrore dhe mbi 600 dronë sulmues. Lufta ruse vazhdon sepse ushtria ruse ruan aftësinë e saj për të terrorizuar Ukrainën dhe për të shfrytëzuar epërsinë e saj në qiell, prandaj është thelbësore që partnerët tanë të respektojnë marrëveshjet e bëra tashmë me ne. Vendimet e marra në samitin e NATO-s në Uashington, si dhe ato të miratuara gjatë takimeve të Ramstein në lidhje me mbrojtjen ajrore për Ukrainën, nuk janë zbatuar ende plotësisht,” u shpreh Zelensky në X. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos