Amerika tarifon botën. Administrata e presidentit Donald Trump vendosi tarifa të reja nga 10 dhe 12.5% mbi importet që vijnë nga 60 vende të ndryshme. Vendimi është marrë në bazë të një regjimi të ri që sipas Shtëpisë së Bardhë, lidhet me “dështimin e secilës ekonomi për të imponuar dhe zbatuar në mënyrë efektive një ndalim mbi importimin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar”.
Kjo lëvizje nga Trump vjen pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i shpalli të paligjshme tarifat e vendosura në Shkurt. Shqipëria nuk bën pjesë në listën e 60 vendeve të prekura këtë të premte, por në të përfshihen shtete si Britania e Madhe, Kina, Kanadaja, Bashkimi Europian, India dhe shumë të tjera. Reagimi i disa vendeve të prekura ka qenë i shpejtë.
“Argumenti ishte lidhur me punën e detyruar. Më vjen keq, por nuk mund ta thuash këtë për Bashkimin Europian. Nëse krahasoni ligjet tona të punës me ato të Shteteve të Bashkuara, kemi kushte vërtetë më të mira për punonjësit tanë, kështu që është vërtetë një vendim pa baza”, tha Kaja Kallas.
“Ne do të intesifikojmë negociatat me Shtetet e Bashkuara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që adreson të gjitha sektorët që lidhen me tarifat. Në të gjitha rrethanat, pavarësisht rezultatit të këtyre negociatave, Kanadaja do të bëjë gjithçka që duhet për të mbështetur familjet, punëtorët, fermerët dhe bizneset tona”, tha Mark Carney, kryeministër i Kanadasë
Ministër i tregtisë i Australisë Don Farrell u shpreh: “Jam shumë i zhgënjyer për vendimin e SHBA-ve për të rritur disa nga tirafat për mallrat australiane që shkojnë në Amerikë. Nuk besojmë se janë të justifikuara. Australia e shqyrton çështjen e skllavërisë modern shumë seriozisht.”
Tarifat e reja të administratës Trump bazohen në një ligj të vitit 1974 dhe prekin 60 shtete të botës partnere të Shteteve të Bashkuara dhe përgjegjëse për 99.4% të importeve. (A2 Televizion)