Arrestimet e Serbisë, reagon DASH, avokati: Janë dhunuar, t’i dorëzohen Speciales

Nga A2 CNN
5 Qershor 2024, 20:22 | Aktualitet

Tefik Mustafa, Sadik Duraku dhe Hasan Dakaj janë arrestuar këtë vit nga shteti serb dhe së bashku edhe me Nezir Mehmetajn janë katër shqiptarët e Kosovës të cilët janë ndaluar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës në fund të viteve ’90.

Prishtina zyrtare i konsideron këto arrestime arbitrare dhe i ka kërkuar vendeve të QUINT-it që t’i bëjë presion Serbisë për t’i liruar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Beogradit të garantojë proces të drejtë për të gjithë të arrestuarit. 

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë një proces ligjor të drejtë dhe transparent për rastin e Tefik Mustafës, ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundim të ligjit”, shkruhet në reagimin e DASH.

Xhevdet Smakiqi, avokat i familjes Dakaj, thotë se nuk ka asnjë provë dhe asnjë dëshmitar që mund të provojë se Hasani ka kryer krimin për të cilin pretendojnë autoritetet serbe.

Ai kërkon monitorim të rreptë pasi ka dyshime se mund të ketë një proces të drejtë ndaj të arrestuarve shqiptarë.

“Të ftojnë organizatat ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Human Rights Watch, Amnesty International, Kryqin e Kuq të monitorojnë për së afërmi procedurën penale, jo vetëm të Hasan Dakajt por të gjithë të ndaluarve ose të paraburgosurve që të sigurohet që ka thënë edhe DASH një procedurë objektive, të paanshme, transparente, për publikun”, tha avokati Smakiqi.

Avokati Smakiqi thotë se Hasan Dakaj është dhunuar gjatë kësaj kohe që po mbahet në paraburgim dhe për këtë kërkon që të ndaluarit t’i dorëzohen Gjykatës Speciale. 

“Atëherë këta ish-pjesëtarë të UÇK-së do të ishte më e mira, më e drejta, që t'i dorëzoheshin Zyrës së Prokurorit Special në Hagë, të paktën familjet do të ishin të qeta se nuk do të ushtrohet dhunë dhe në mënyrë objektive do të hetoheshin, qoftë edhe me pretendime të cilat i kanë arrestuar Republika e Serbisë”, shton ai.

Nga Qeveria e Kosovës kërkon më shumë angazhim në rrugë diplomatike por edhe mbështetje financiare për mbulimin e shpenzimeve deri në përfundim të gjykimit.

“Qeveria e Kosovës meqë tash ish-pjesëtarët e UÇK-së gjenden në paraburgim në Beograd, së paku duhet, siç po vepron Serbia kur po i arreston Prokuroria Speciale serbët këtu lokalë për dyshime për krime lufte, Serbia po ua paguan avokatët, ndërkohë që ish-pjesëtarëve fare askush nuk iu del në ndihmë”, u shpreh avokati.

Smakiqi thotë se me këto arsyetime që po i arreston Serbia shtetasit kosovarë, gjoja për bashkëpunim në kryerjen e krimeve, rrezikojnë të gjithë shqiptarët mbi moshën 30-vjeçare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos