Arrestimi i shtetasit kosovar, DASH për Serbinë: T’i garantohet proces i drejtë ligjor

Nga Rosalba Bejdo
5 Qershor 2024, 15:18 | Aktualitet

Arrestimi i shtetasit kosovar, DASH për Serbinë: T’i garantohet

Departamenti Amerikan i Shtetit bën thirrje për një proces të drejtë dhe transparent ligjor, për shtetasit kosovarë të arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte në vitet '90.

Një zëdhënëse e DASH ka komentuar lidhur me çështjen për Radion Europa e Lirë, pasi autoritete serbe ndaluan në pikën kufitare të Mërdarës, shtetasin Tefik Mustafa. Një gjykatë në Beograd vendosi ta lërë atë në paraburgim për 30 ditë. 

Ne u bëjmë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë një proces ligjor të drejtë dhe transparent për këtë rast, ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundim të ligjit.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi më 1 qershor se Mustafa dyshohet se, në cilësinë e anëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është përmendur nëpër deklarata të dëshmitarëve si pjesëmarrës në rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë.

Por Ministria e Jashtme në Kosovë e konsideron ndalimin e Mustafës si të njëanshëm dhe kërkon ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij. Gjatë 3 viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, siç është thënë, nën dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos