Procesi i dialogut duhet të ndahet nga integrimi i Kosovës në Bashkimin Europian. Kërkesa, së cilës Kosova po i mëshon gjithnjë e më shumë, u bë këtë herë nga zëvendës kryeministri Besnik Bislimi pas takimit të zhvilluar me ministrin për çështje europiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak.
Bislimi përsëriti gjithashtu thirrjen për heqjen sa më parë të masave ndëshkuese të BE për Kosovë.
“Kemi biseduar për masat aktuale kundrejt Republikës së Kosovës, që punojnë kundër përpjekjeve të BE-së për të mbyllur zbrazëtirën dhe për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian. Është pozita jonë që masat duhet të hiqen sa më shpejt që është e mundur, por më e rëndësishmja procesi i dialogut duhet të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës që fokusi të kthehet tek aspiratat e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian. Kosova ka 94 për qind mbështetje të qytetarëve për integrim në BE e meriton të marr statusin e vendit kandidat.”
Ministri çek Dvorak deklaroi se Çekia është aleati më i afërt për Kosovën dhe tha se janë të gatshëm të ndihmojnë vendin në detyrat e shtëpisë. E megjithatë ai e bëri të qartë se procesi i dialogut dhe ai i integrimit janë të lidhura ngushtë dhe nuk mund të ndahen.
"Çekia ka qenë dhe vazhdon të jetë një mik i afërt për Kosovën. Një shprehje e miqësisë përfshin të qenit i hapur dhe i sinqertë. Integrimi i mëtejshëm i Kosovës në BE është i lidhur ngushtë me dialogun me Beogradin. Çështja e fqinjësisë së mirë dhe procesit të integrimit evropian kanë të bëjnë me gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.”
Ministri çek u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Edhe kjo e fundit e vuri theksin tek nevoja e heqjes së ndëshkimeve të BE. Osmani foli gjithashtu mbi domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO dhe BE. (A2 Televizion)