Diplomacia parlamentare u vlerësua si shumë e rëndësishme për të kaluar situatën e rëndë me sigurinë në Evropë. Gjatë një konference që si temë bosht kishte diplomacinë parlamentare për sigurinë rajonale dhe integrimin euroatlantik, u tha se kjo lloj diplomacie është një nga mjetet më të fuqishme për të ndërtuar marrëdhënie bilaterale dhe bashkëpunim të qëndrueshëm.
“Diplomaci parlamentare për ne do të thotë forcim i miqësive me parlamentet e vendeve mike, por edhe krijimi i miqësive të reja me deputetë dhe përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën e që jemi të interesuar të punojmë së bashku drejt afrimit të kësaj njohje”.
Në këtë konferencë u kërkuar që perspektiva euroatlantike e rajonit duhet të përforcohet meqë ajo është një udhërrëfyes për paqen dhe sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor.
“Rruga drejt bashkëpunimit rajonal dhe euroatlantik nuk është papengesa. Ka ende ankesa historike, dallime politike dhe pabarazi socio-ekonomike, të cilat shpesh kërcënojnë të na ndajnë dhe jo të bashkojnë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të promovojmë parimet e dialogut dhe gjithëpërfshirjes të cilat janë thelbësore për ndërtimin e urave midis njerëzve dhe vendeve tona”.
Konferenca, që u organizua nga Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe me mbështetje të organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung, u tha se është një platformë për të ngritur çështjet që shqetësojnë të gjitha vendet e rajonit.
“Është e rëndësishme që të diskutohet për sfidat në siguri, luftimin e krimit dhe korrupsionit, përfshirjen e shoqërisë civil dhe mediave në rolin primar dhe shumë reforma të tjera që duhet të bëhen për të përmirësuar jetën e qytetarëve”.
Në këtë ngjarje morën pjesë ministra, parlamentarë, ambasadorë, aktivistë të shoqërisë civile, akademikë dhe përfaqësues të institucioneve dhe partive politike. (A2 Televizion)