Historiani amerikan dhe autori i disa librave për dezinformatat, Jason Steinhauer, deklaroi për A2 CNN se situata me dezinformatat në Ballkanin Perëndimor është shqetësuese.
Sipas tij, në rajon qëllimi i dezinformatave është destabilizimi, duke nxitur urrejtje etnike mes popujve, por edhe mes grupeve fetare.
“Nga ajo që kam parë, qartësisht ka arsye për shqetësim, ka shumë narrativa të dëmshme që kanë qarkulluar në rajon me qëllim destabilizimiin duke nxitur grupet kundër njëri-tjetrit, nganjëherë duke çuar në situata të dhunshme në rrugë, kështu që sigurisht që ka arsye për shqetësim, është diçka që sigurisht duhet t'i kushtojmë vëmendje”, tha Steinhauer.
Steinhauer thotë se lufta ndaj dezinformatave duhet të jetë shume precize për shkak të shpejtësisë së shpërndarjes së tyre: “Dezinformatat janë absolutisht një kërcënim për paqen, sigurinë dhe stabilitetin sepse shumica e dezinformatave që ne shohim vendosin qëllimisht një grup kundër një tjetri, qofshin ato grupe etnike, grupe fetare, shtete dhe në fund të fundit mund të çojnë në dhunë. Kështu që është diçka që ne e marrim shumë seriozisht dhe është gjithashtu alarmante se sa shpejt mund të përhapet dhe sa thellë dhe gjerë mund të integrohet tek populli dhe për shkak të shpejtësisë dhe për shkak të pasojave të mundshme, duhet të veprojmë me forcë dhe saktësi”.
Dezinformatat, pavarësisht se të shpërndara gjeografikisht, sipas Steinhauer, kanë për qëllim të goditen vlerat perëndimore: “Narrativat që qarkullojnë e që mendoj se janë të lidhura janë historitë që përpiqen t’i bindin njerëzit të mos i besojnë Bashkimit Evropian, të mos i besojnë Shteteve të Bashkuara, të mos besojnë në aleancën transatlantike mes BE-së dhe SHBA-së, të mos besojnë në demokraci e të shtyjnë në preferenca drejt autokracisë. Këto narrativa qarkullojnë në mbarë botën, si në Evropën Lindorë, si në Ballkan, madje edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, dhe të gjitha janë të lidhura dhe vijnë nga aktorë të përbashkët që kanë objektiva të përbashkëta, pavarësisht se i dëgjojmë në gjuhë, vende dhe kontekste të ndryshme”.
Steinhauer qëndroi në Kosovë ku mori pjesë në disa aktivitete të sigurisë, ligjëroi para studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe në shënimin e dyvjetorit të luftës në Ukrainë. (A2 Televizion)