Kosova synon të lehtësojë procedurat për marrjen e shtetësisë për të gjithë qytetarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Për shkak të diskriminimit në Serbi në lidhje me pasivizimin e adresave, shumë shqiptarë të këtyre komunave tani janë pa shtetësi dhe pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre elementare.
Si arsye tjetër për këtë vendim është edhe integrimi i shqiptarëve të Luginës në shoqërinë kosovare. Deputetja Jeta Statovci, e Listës Guxo, shprehet: “Në bazë të legjislacionit aktual, sikurse një qytetar nga kontinentet e largëta, sikurse një bashkëkombas në Luginë, ka pasur trajtim të njëjtë në aspektin e procedurave dhe aspekteve të tjera administrative, pra sikur të ishin nga Etiopia, sikur të ishte nga Lugina të njëjtën qasje, të njëjtat procedura”.
Javë më parë, Kuvendi miratoi në lexim të parë ligjin për shtetësinë që synon harmonizim të legjislacionit me praktikat më të mira ndërkombëtare, digjitalizimin e procesit dhe adreson edhe çështja të tjera: “Projektligji parasheh fitimin e shtetësisë me kritere të lehtësuara në raport me kohëzgjatjen e kërkuar të qëndrimit për persona të pajisur me lejeqëndrim të përhershëm për rrethana të jashtëzakonshme gjë që adreson dhe lehtëson edhe fitimin e shtetësië edhe për qytetarët e Luginës”.
Deri në lexim të dytë, mazhoranca në Kosovë thotë se do të gjejë modelin e përshtatshëm se si do të rregullohet ligjërisht dhënia e shtetësisë për shqiptarët e Luginës. Ata përmendin shembujt e Rumanisë dhe të Kroacisë që japin shtetësinë për qytetarët e tyre që jetojnë jashtë kufijve zyrtar të vendit.
Jeta Statovci shprehet: “Në kuadër të Ligjit për shtetësi që tashmë ka ardhur në Kuvendin e Kosovës ka dispozita të përgjithshme të cilat e rregullojnë çështjen e shtetësisë përmes origjinës, trajton kategoritë e pjesëtarëve të diasporës, mirëpo nuk ka trajtim direkt për qytetarët që jetojnë në Luginë dhe duke i ditur vështirësitë e tyre mendojmë që është e rrugës që të ketë dispozitë që ofron lehtësira me këtë proces”.
Dhjetë vite më parë, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë që kërkonte procedura të lehtësuara për dhënien e shtetësisë për shqiptarët në Serbi, ndërsa të njëjtën kërkesë e pati përsëritur pak kohë më parë edhe presidentja Vjosa Osmani. (A2 Televizion)