Masakra serbe në Likoshan, Konjufca: Po përgatisim padinë ndaj Beogradit

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2024, 22:00 | Aktualitet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave të Likoshanit dhe Qirezit, në përkujtim dhe nderim të civilëve shqiptarë të vrarë dhe të masakruar nga forcat pushtuese serbe para 26 vjetëve.

Masakrën e Likoshanit dhe Qirezit kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e cilësoi fillim të genocidit të shtetit të Serbisë mbi popullin e Kosovës, por njëkohësisht edhe fillimin dhe masivizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I pyetur nga A2 CNN në lidhje me padinë ndaj shtetit serb për krimet e kryera në Kosovë, Glauk Konjufca tha se, shteti i Kosovēs ēshtē duke u angazhuar për çështjen në fjalë, por përmendi faktin se Kosova nuk është pjesë e OKB-së dhe si rrjedhojë nuk ka qenë e lehtë përdorimi i mekanizmave dhe institucioneve.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për mikrofonin e A2 CNN u shpreh se, angazhimi për padinë për genocid ka qenë maksimal, por duke u nisur nga ndjeshmëria e çështjes, Ministrja e Drejtësisë, nuk dha shumë detaje.

Lufta kundër forcave serbe në fshatrat e Drenicës, Likoshanit dhe Qirezit shënojnë masakrën  ndaj popullsisë civile. Në vendin e quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftime të ashpra mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.

Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm. Në rrethimin e fshatrave, armiku përdori artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të blinduara, përfshirë edhe tanke.

 

 

A2 CNN Livestream

Dita jonë