Revista e rezervistëve gjermanë: Serbia planifikon sulme të reja në Kosovë, bleu 3 mld euro armë

Nga Xhevahir Qardaku
27 Shkurt 2024, 20:59 | Aktualitet

“Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë si ai i Banjskës”. Kështu shkruan revista e rezervistëve të ushtrisë gjermane, Reservistenverband, që ka publikuar një shkrim ku analizohen të gjitha detajet, nga beteja verbale për dinarin, te shpenzimet marramendëse të Beogradit për blerjen e armëve e deri te situata e brishtë në veriun e Kosovës.

Kjo media thekson se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, po ngjall panik tek serbët e Kosovës me pretendimin se 32 mijë punonjës dhe 30 mijë pensionistë do të mbeten pa dinarë.

“Konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë mund të përshkallëzohen në çdo moment në atmosferën e nxehtë. Vuçiç ka vite që punon për të ndikuar në mjedisin gjeopolitik në mënyrë që rimarrja e Kosovës të duket e mundur. Që nga viti 2014, kur ai u bë kreu i qeverisë, Serbia ka investuar 2.9 miliardë euro në modernizimin e ushtrisë së saj - një shumë e madhe për një vend me vetëm shtatë milionë banorë”, shkruan Reservistenverband.

Revista ushtarake gjermane thekson se industria vendase e prodhimit të armëve në Serbi është mjaft e fuqishme, ndërsa Kina po rezulton një furnizues I madh armësh për Vuçiçin, pasi Rusia nuk ka më asgjë për të eksportuar për shkak të luftës në Ukrainë. Gjithashtu përmend dhe armatosjen e Kosovës me 246 raketat antitank Javelin nga Shtetet e Bashkuara.

“Ata do të ishin në gjendje të ndalonin një sulm tankesh nga Serbia. Por ekspertët nuk besojnë se Vuçiç do të guxojë të nisë një fushatë klasike ushtarake me tanke dhe këmbësori kundër Kosovës”, thuhet në shkrim.

Sipas revistës gjermane, me shumë gjasa, veprimet serbe do të jenë vetëm përmes komandove si ato që u panë më 24 shtator në Banjskë, ku “burrat e gjelbër”, pra forcat special serbe, duke ndjekur shembullin e Rusisë në Ukrainë, të përpiqen të shkaktojnë trazira në Kosovë, me qëllim destabilizimin e këtij shteti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos