“Duhet të krijojmë gjenerata të reja profesionistësh që na ndihmojmë të përballemi me sulme kibernetike”. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla në Konferencën për Siguri Kibernetike e cila bëri bashkë në Prishtinë, përfaqësues të rajonit dhe ekspertë të vendeve të ndryshme. Sveçla, theksoi se shembujt e sulmeve kibernetike, si në Ukrainë para dhe gjatë luftës ruse, tregojnë fuqinë dhe impaktin alarmues, për çka shtoi se duhet të investohet për mbrojtje.
“Synimi i Qeverisë së Kosovës është të krijojë një mjedis kibernetik të sigurt. Vizioni dhe synimi i Qeverisë së Kosovës është të krijojë një mjedis kibernetik të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë, duke parashikuar dhe zvogëluar rreziqet si dhe duke zhvilluar aftësitë dhe kapacitetet për të trajtuar çështjet e sigurisë kibernetike. Ky vizion është paraqitur përmes strategjisë kombëtare për siguri kibernetike2023-2027. Kjo strategji fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve ligjore dhe institucionale, promovimin e ndërgjegjësimit, zhvillimin e sektorit privat, bashkëpunimin ndërkombëtar, zhvillimin e kapaciteteve dhe avancimin e kapaciteteve hetuese dhe ushtarake në fushën e sigurisë kibernetike”, tha Sveçla.
Sakaq, ish-kryeministri shqiptari Malit të Zi, Dritan Abazoviç kujtoi rastin e sulmit kibernetik gjatë vitit 2022, i cili pati pasoja të mëdha. Ai tha se mijëra dokumente u zhvendosen nga saj të qeverisë dhe u bllokua shumica e agjencive.
“Mali i Zi është ballafaquar me situatë të cilën nuk ka mundur ta përballojë. Për fat të keqMali i Zi ka pasur një sulm jashtëzakonisht të madh në gusht të vitit 2022, i cili është vazhduar edhe në shtator të të njëjtit vit. Në atë moment, me mijëra dokumente janë shpërngulur prej sajteve të ndryshme të qeverisë, janë bllokuar shumica e agjencioneve dhe në atë moment e kemi kuptuar se sulmet moderne apo lufta moderne do të bëhen përmes digjitalizimit. Mali i Zi është ballafaquar me situatë të cilën nuk ka mundur ta përballojë edhe në atë moment kemi pasur kërkesa ndaj faktorit ndërkombëtar për të na ndihmuar. Tre grupe ekspertësh kanë ardhur në Mal të Zi, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës", shtoi Abazoviç.
Sakaq, zëdhënësja e ambasadës amerikane në Prishtinë Katherine Judd, e cilësoi sigurinë kibernetike si një nga sfidat më të mëdha. ndërsa tha se qëllimi i konferencës është të lehtësohet një mjedis ku të ndahen dhe të këmbehen ide, për zgjidhje inovative. (A2 Televizion)