NATO është e shqetësuar për situatën në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte në një deklarata para Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian.
I pyetur nga eurodeputetët e pranishëm, Rutte tha se aleanca është në kontakt të vazhdueshëm me Kosovën dhe Serbinë për të siguruar zgjedhje e reja në mënyrë që të shmanget destabilizimi, shkruan A2 CNN.
“Natyrisht, i kemi disa shqetësime atje, sidomos për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyç. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar sepse është një rajoni fqinj kryesor për ne”, tha Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO, shkruan A2 CNN.
Rutte e ka quajtur situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si çështje kyçë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Rutte shtoi se aleanca nuk do të lejojë të ketë ndonjë vakum të sigurisë, as në Bosnje e Hercegovinë, e as diku tjetër në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
NATO ka prani ushtarake në Kosovë përmes misionit të saj paqeruajtës, KFOR. Gjatë tensioneve në veri në të kaluarën, aleanca vazhdimisht ka paralajmëruar se është e gatshme të ndërhyjë nëse e sheh të nevojshme. Ndërkaq, gjatë debatit në PE, shefi i aleancës tha se në këto kohëra të rrezikshme është e domosdoshme që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të forcojnë bashkëpunimin.
Sipas tij, Rusia po bën përpjekje që të destabilizojë vendet anëtare të aleancës dhe të bllokut evropian. “Jemi thellësisht të shqetësuar për sigurinë në Evropë. Nuk jemi në luftë, por nuk jemi as në paqe”, tha ai duke kërkuar që të rriten investimet në siguri dhe mbrojtje nga vendet anëtare. (A2 Televizion)